Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, nga Brukseli, ku mori pjesë në ministerialin e “Iniciativës Adriatiko-Joniane”, i bëri thirrje forcave politike në vend për kompromis mbi dy ligjet dhe regulloren e Parlamentit, të cilat sipas tij gëzojnë konsensusin e opozitës.
Në një takim të veçantë, ministri raportoi para drejtorit të përgjithshëm të KE-së, Stefano Sanino, për hapat e ndryshëm që priten nga vendi.
“Bëhet fjalë për ligje, të cilat apriori, në nivel të komisioneve, kanë pasur konsensus të plotë nga dy formacionet kryesore politike. Dëshiroj të shpresoj që edhe në këto kufij të ngushtë kohorë që kemi ne dispozicion ky kompromis të arrihet”, deklaroi Panariti në një prononcim për Top Channel.
TCH: Që prej raport-progresit ju nuk keni raportuar më për krimin dhe korrupsionin, gjë e cila kërkohet nga Komisioni bashkë me tre ligjet.
Panariti: “Ne kemi një dosje me statistika sepse kjo gjë përditësohet ç‘do ditë dhe në takimin me zotin Sanino padyshim që do të diskutojmë edhe për këtë aspekt”.
Ministeriali i “Iniciativës Adriatiko-Joniane”, që u zhvillua në Bruksel, mblodhi propozimet e vendeve pjesëmarrëse, përfshirë ato të Shqipërisë, për hartimin e një strategjie të ardhshme bashkëpunimi.
Pas këtij takimi, ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti rrëfeu edhe takimin me homologun serb Ivan Mrkiç.
“Zoti Mrkiç më informoi në lidhje me disa ngjarje me impakt ndërkombëtar, sidomos vendimin e fundit të gjykatës së Hagës për lirimin e dy gjeneralëve kroatë. Ai shprehu këndvështrimin e tij se si e gjykon këtë vendim, natyrisht që qëndrimi ynë është që ne i respektojmë plotësisht vendimet e gjykatës së Hagës. Më pas ne u përqëndruam tek bashkëpunimi midis dy vendeve tona dhe unë përsërita dëshirën e shprehur në Tiranë që marrëdhëniet tona të mos mbeten vetëm në kudër të një vullneti të mirë për bashkëpunim, por të finalizohen dhe me firmosjen e një marrëveshjeje konkrete”, deklaroi Panariti.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, ndër të tjera, ministri Panariti takoi ministrat e Jashtëm të Italisë dhe të Sllovenisë, vende këto mbështetëse të Shqipërisë në rrugën e integrimit.
Top Channel