Izraeli nuk i ndal sulmet në Gaza

19/11/2012 23:49

Edhe pse bisedimet e armëpushimit kanë vazhduar përgjatë gjithë ditës në Egjipt, Izraeli nuk i ka ndaluar sulmet në rripin e Gazës, ku bilanci i viktimave është rënduar me 26 vdekje të tjera.

Nga ana tjetër, ndonëse më pak raketa po lëshohen prej andej në drejtim të qyteteve jugore të shtetit hebre, vrulli i tyre nuk është fashitur krejtësisht.

Në 6 ditë dhunë kanë humbur jetën mbi 100 palestinezë e tre izraelitë dhe, pavarësisht apeleve të ndërkombëtarëve, përfshirë atë të shefit të OKB-së, Ban Ki Moon, situata vazhdon të përshkallëzohet.

Në Egjipt, një nga zyrtarët e lartë, të përfshirë në përpjekjet e arritjes së armëpushimit, tha se ka shenja mjaft inkurajuese në këtë drejtim.

Përfaqësues të Hamas-it sqarojnë se ishte kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ai që kërkoi armëpushimin, por i takon Izraelit të ndalojë luftën që vetë e nisi, deklaruan ata. Tel Avivi mohoi menjëherë të ketë bërë një kërkesë të tillë.

Ndërkohë, kreu i ekzekutivit turk, Rexhep Tajip Erdogan, e përshkroi Izraelin si “shtet terrorist” dhe përmendi “masakrat e fëmijëve” gjatë bombardimeve në Gaza.

Rexhep Tajip Erdogan: “A mund të ketë një vend në këtë botë, për ata që masakrojnë fëmijët? A mund të themi se ata respektojnë racën njerëzore? Për këtë arsye shumë të thjeshtë, unë them se Izraeli është shtet terrorist dhe aktet e tij janë akte terroriste”.

Marrëdhëniet dikur të ngrohta mes Turqisë dhe Izraelit janë ashpërsuar shumë pas mësymjes së anijes turke të ndihmës në 2010-tën nga forcat izraelite, gjatë bllokadës detare në Gaza.

Situata në Lindjen e Mesme ka përbërë boshtin e takimit të Ministrave të Jashtëm dhe atyre të Mbrojtjes së Bashkimit Europian.

Tony Blair, i dërguari i Kuartetit për Paqen në Lindjen e Mesme, që përfshin Shtetet e Bashkuara, BE-në, Rusinë dhe OKB-në, tha se shpreson që brenda pak ditësh do të arrihet një armëpushim, ndërsa shefja e Politikës së Jashtme të bllokut, Catherine Ashton, deklaroi se sulmet e Izraelit duhet të ndalojnë menjëherë, ndërsa e gjithë kriza, sipas saj, mund të zgjidhet vetëm me një alternativë afatgjatë.

Top Channel