Ministrat e Financave të Eurozonës janë gati të japin të martën dritën jeshile për këstin prej 44 miliardë eurosh në favor të Greqisë.

Sipas mediave ndërkombëtare, paratë do të derdhen në bankat greke më 5 dhjetor, me kusht që Athina të jetë në rregull me të gjitha kushtet e kërkuara.

Dega e agjencisë “Reuters” në Berlin citon burime të afërta me mbledhjen e Eurogrupit ditën e nesërme që thonë se, pritet një mbështetje politike në parim për zhbllokimin e ndihmave.

Javën e kaluar qeveria greke arriti të siguronte fonde të cilat shmangin falimentimin e menjëhershëm në rast të zgjatjes së bisedimeve për kredinë e radhës nga trojka, nëpërmjet shitjes së bonove të thesarit me afat të shkurtër maturimi.

Athina zyrtare siguroi të martën 4,06 miliardë euro nga shitja e bonove me afat 1-mujor maturimi, me interes 3,95% dhe nga bonot 3-mujore, me interes 4,2%.

Këto para do të shërbejnë për të përballuar këstin e pagimit të një kredie të mëparshme prej pesë miliardë eurosh, që duhet të paguhet brenda ditës së premte.

Më parë, kryeministri Samaras kishte thënë se pa marrjen e këstit të radhës nga trojka, financat helene do të shterronin deri në datën 15 nëntor.

Për Greqinë, kjo ishte mënyra e vetme për të siguruar fonde të menjëhershme, pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane dhe Bashkimi Europian ende nuk kanë vendosur për huanë e radhës, për të cilën fqinji ynë jugor ka nevojë të domosdoshme.

Top Channel