Francë, akuza për manipulime, përçahet opozita

19/11/2012 15:20

Votimi për të përcaktuar se kush do të udhëheqë partinë më të madhe franceze në opozitë, “UMP”-në e ish-presidentit Nicolas Sarkozy, ka përçarë te djathten dhe ka krijuar një konflikt të thelle, pasi të dy rivalët shpallën fitoren e tyre mesgjesin e se henes.

Vetëm disa dhjetëra vota ndajnë kandidatin e djathtë, Jean-Francois Cope nga ish-kryeministri Francois Fillon dhe secili prej tyre, akuzon tjetrin për parregullsi dhe manipulime.

Rezultati përfundimtar pritet që të shpallet vetëm të hënën në mbrëmje, por sipas opinionistëve, reputacioni i “UMP”-së është dëmtuar përfundimisht, ndërsa nga brenda opozitës i është kërkuar dy figurave influenciale që të përfundojnë betejën e tyre të fjalëve.

Në këtë situatë, ish-ministri i Jashtëm, Alain Juppe, i bëri thirrje kandidatëve që të pranojnë rezultatin dhe të ruajnë qetësinë për hir të së djathtës franceze.

Situata konfliktuale u krijua kur mesnatën midis të dielës dhe të hënës, Cope shpalli fitoren e tij, pa pritur numërimin e të gjithëve votave, në momentin kur kishte një avantazh të lehtë.

Fillon, i cili nga sondazhet pritet të fitonte pa probleme, u kundërpërgjigj duke thënë edhe ai se kishte fituar dhe duke akuzuar kryetarin e partisë për manipulim.

Nëse kriza brenda partisë më të madhe opozitare do të thellohet, rrezikohet seriozisht përçarja e së djathtës, sidomos duke pasur parasysh që “UMP” u krijua vetëm përpara dhjetë vitesh, si rezultatin i bashkimit që Presidenti Jacques Chirac realizoi midis disa fraksioneve të ndryshme të së djathtës, në një parti të vetme.

Top Channel