Cmimet e Panairit të Librit

19/11/2012 12:20

100 mijë persona e kanë vizituar Panairin e 15-të të Librit, ka deklaruar Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve e cila organizon këtë event të përvitshëm.

1500 botime të reja janë ekspozuar në këtë panair, ndër të cilat kanë spikatur librat me tematikë patriotike duke përkuar kështu edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë.

Pasditen e së dielës, në ceremoninë e mbylljes së Panairit, janë ndarë edhe çmimet për prurjet më të mira.

Mirela Kumbaro, anëtare e Jurisë, deklaroi: “Nuk ka një çmim për letërsinë për fëmijë këtë vit pasi nuk kishte kandidatura të vlefshme për këtë çmim sipas jurisë.”

Si autori më i mirë është shpallur Artan Fuga për librin e tij “Rënia e Qytetit”. Juria ka vlerësuar formën e re me të cilën autori e shkruan qytetin si koncept duke ndërthurur atë çka ai është tani dhe ide se si duhet të jetë në një shoqëri bashkëkohore. Ndërsa çmimi i përkthyesit të vitit i ka shkuar Rudi Erebarës për përmbledhjen poetike “Tek era e kam shpëtimin”, të poetit amerikan Archibalt Ammons.

Gjatë ceremonisë janë ndarë edhe dy çmime të tjera: çmimi special këtë radhë ka qenë për Aleko Mingën, për prurjen në shqip të “Simfonia e numrave të thjeshtë” i Markus du Sautoy.

Ndërsa Ambasada Franceze në Tiranë ka dorëzuar një çmim për përkthimin më të mirë nga frengjishtja me të cilin është vlerësuar Orgest Azizi për vëllimin e parë të botimit “Historia e seksualitetit” të Michel Foucault.  

Panairi i ardhshëm do të zhvillohet në Tiranë nga data 13 deri në 17 Nëntor të vitit 2013.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA