
Kryeministri Berisha dhe kreu i opozitës Rama, kanë patur një ditë intensive me ftesa në distancë për njëri-tjetrin duke tentuar ndërtimin e një dialogu nga ku shpresohet zgjidhja e ngërçit politik formuar nga qëndrimi që ka PS për qarkun Fier, dhe PD që shprehet për domosdoshmërinë e miratimit të ligjeve me tre të pestat.
Por ndërsa fillimisht ngjante si i arritshëm në mesdite, në mbrëmje takimi mes dy liderëve u duk sërish i dështuar. Dhe shkak është sërish çështja e Fierit.
Fillimisht ishte zoti Berisha ai i cili nga mbledhja e qeverisë shprehu gadishmërinë për t’u takuar me Ramën. “Jam gati të diskutojmë për çdo amendim për ligjet. Jam gati të ulemi në tryezë sot pasdite ose nesër pasdite, duke qenë se paraditja e së martës ka të tjera impenjime në axhendën time”, u shpreh Berisha.
I menjëhershëm ishte reagimi i PS nga ku Edi Rama pas tre apelesh publike ndaj kryeministrit Sali Berisha dhe gadishmërisë së shefit të qeverisë për të nisur dialogun, cakton orën dhe vendin e takimit.
Nëpërmjet një deklrate për mediat selia rozë thotë se kryetari i opozitës propozon që takimi të zhvillohet paraditen e së martës në orën 10.00, në mjediset e Hotel Sheraton, edhe me praninë e të gjitha forcave parlamentare, ku duhet të jetë prezente media si shenjë tranparence.
Por kryetari i Partisë Socialiste mbetet i hapur të mirëpresë e të pranojë pa kushte çdo propozim të ndryshëm të kryeministrit për orën, vendin dhe formatin e takimit, thuhet në vijim të deklaratës.
Pavarësisht këtij qëndrimi të opozitës, Top-Channel mëson se socialistët, nëse do të arrihet një tryezë e partive parlamentare, nuk do të heqin dorë nga kërkesat që lidhen me qarkun Fier. Nuk ka vonuar gjatë që kjo ftesë e PS të marrë një përgjigje nga zoti Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së.
“Ai thotë të takohemi në Hotel Sheraton, se është gati të pranojë sugjerimet e mia, por i them të takohemi sot pasdite, pasi axhenda ime e ditës së nesërme nuk mund të modifikohet. Kam mundësi sot dhe nesër mbasdite”, u shpreh Berisha.
Por pasdite, negociatat mes krerëve të grupeve parlamentare, Ruçi dhe Patozi nuk kanë sjellë asgjë të re. Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e shtypit e kryeministrit Berisha thuhej se, zoti Ruçi ka kërkuar që në tryezë të flitej edhe për çështjen e Fierit, që sipas kryeministrit nuk përmendej në deklaratën e zotit Rama.
Por socialistët kanë sqaruar se, teksa kanë folur për integrimin, kjo çështje përfshin edhe kushtin e tyre bazë, Fierin. Por kryeministri duket se nuk e ka pranuar këtë, pasi siç thuhet në deklaratën e tij,
“Këto ligje dhe votimi i tyre nuk kanë asnjë lidhje me një çështje lokale, e cila përdoret si pretekst prej 3 muajsh nga kryetari i PS për bllokimin e votimit të tyre”.
Sipas kryeministrit, vendimet e gjykatave nuk diskutohen në tryeza politike dhe se ai ka qenë dhe mbetet i gatshëm për zbatimin e propozimit të tij të mocionit në Këshillat e Komunave e Bashkive për këshilltarët e qarkut të Fierit, si zgjidhja e vetme politike dhe ligjore e mundshme pa ndërhyrje në vendimet e gjykatave.
Nga ana e saj, opozita këmbëngul në atë se për Fierin Berisha duhet të zbatojë pikërisht vendimet e gjykatave dhe jo ta mbajë të bllokuar këshillin e qarkut dhe se integrimi nuk lidhet vetëm me miratimin e tre ligjeve, por me zbatimin e tyre, çka sipas socialistëve, Berisha në rastin e Fierit nuk pranon ta bëjë duke qenë ai përgjegjës dhe duke e mbajtur ai peng statusin e vendit kandidat.
Rama reagon: Fieri, justifikimi i Berishës
Kreu i socialistëve, Edi Rama komentoi në rrjetin social Twitter refuzimin e kryeministrit Berisha për t’u takuar ditën e martë me opozitën për t’i dhënë zgjidhje cështjes së Fierit dhe miratimit të ligjeve që kërkojnë edhe votën e opozitës.
“Deklarata refuzuese e kryeministrit për takim nesër është shprehje e mungesës totale të vullnetit për të dalë nga situata me dialog e mirëkuptim. Kryeministri thotë; Takohem në çdo orë, por jo vetëm unë do them atë që dua unë, po edhe opozita duhet të thotë atë që dua unë të thotë”, shkruan Rama.
Më tej kryesocialisti fton edhe njëherë tjetër kryeministrin Berisha të ulet në tryezë, sic thotë ai, për t’u ballafaquar me argumentat e opozitës, nëse vërtet dëshiron votat për ligjet me tre të pestat.
“Kryeministri refuzon kërkesën e opozitës për ta kërkuar zgjidhjen përmes dialogut, sepse s’do votat e opozitës po justifikimin pse s’merr dot statusin. Ja pra pse e mban peng Fierin Saliu dhe pse refuzon të ballafaqojë argumentat për gjetjen e zgjidhjes, që nesër të thotë: Fajin e ka opozita! Përsëri i them:Takohu me opozitën dhe të ballafaqohemi, edhe në sytë e shqiptarëve po të duash.T’i bishtnosh ballafaqimit dmth s’do zgjidhje”, përfundon komentin e tij në rrjetin social Rama.
Top Channel