Rama: Të pavarësojmë vendin nga injoranca

18/11/2012 00:00

Si simbol i rilindjes kanë qenë mijëra të rinj ata që kanë inaguruar përfundimin e punimeve të pedonales në qytetin e Korçës. Manifesti eurosocialist “Unë jam FRESH”, ku ishte i pranishëm dhe kreu i opozitës Edi Rama dhe deputeti Pandeli Majko, inaguroi rikonstruksionin nga Bashkia e Korçës të sheshit përpara Katedrales.

Si i zoti i shtëpisë, kreu i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, vlerësoi prezencën e të rinjve si vizitorët më të mirë për të çelur festimet e 100-vjetorit nga kjo vepër e re infrastrukturore.

“Nuk ka mënyrë më të mirë për të çelur siparin e festimeve të eventeve në pedonalen e Korçës”, u shpreh Peleshi.

Deputeti Pandeli Majko, si ish-themelues i FRESSH-it, nuk fshehu emocionet nga prania e lartë e pjesëmarrësve duke e vlerësuar këtë madje si barometrin e vitit 2013.  

“Po të deshi Korça, të do bota; po s’të deshi Korça, ik dhe mos e prit 2013-n”, deklaroi Majko.

Kryetari i opozitës, Edi Rama, veçoi një element tjetër të këtij evenimenti: afërsinë e zhvillimit të tij me Muzeun e Abetares. Ndërsa 100 vjet më parë ishin patriotët shqiptarë ata që mbartën misionin e Pavarësisë së vendit nga pushtuesi, një shekull më pas është misioni i socialistëve dhe i progresistëve të bëjnë vendin të pavarur nga analfabetizmi, pasi qeveria aktuale e ka çuar në shifrat 15%, janë socialistët që mbartin misionin ta bëjnë vendin të pavarur nga varfëria, deklaroi Edi Rama përpara të rinjve.  

“Ta pavarësojmë vendin tonë nga injoranca duke filluar një luftë të paepur me analfabetizmin që sot ka shkuar 15%. Me 15% të fëmijëve shqiptarë analfabetë, Shqipëria nuk është e pavarur nga injoranca. Ne kemi misionin që të rejave dhe rinjve që shkojnë në shkolllë t’ju krijojmë kushtet për tu mësuar një zanat. Me 1 milionë të papunë, 60% e të cilave janë të reja dhe të rinj ne nuk jemi të pavarur nga varfëria. E pra, ne kemi misionin që ta pavaresojmë nga varfëreia duke luftuar papunësinë, duke i dhënë çdo djali e vajze mundësinë të punojë falë aftësive që do marrin në shkollë. Cdo shqiptar ka te drejtën të punojë me punë të ndershme”, theksoi Rama në fjalën e tij.

Kryetari i opozitës u ndal tek një nga nismat e PS-së për 100-vjetorin e Pavarësisë: projekti “Ngri Flamurin”,  ku i bëri thirrje të rinjve të vijojnë t’i  bashkohen këtij aplikimi në Facebook, si mundësi afrimi me njëri-tjetrin përmes ëndrrave që ndajmë së bashku.

Ashtu si në çdo qytet tjetër, Edi Rama ftoi të rinjtë për të qenë bashkë në Rilindjen Shqiptare, jo vetëm si mision politik, por si një “betejë e përbashkët për një Shqipëri më të mirë”.

Reagon MASH: Rama po sulmon arsimin, duke deklaruar të pavërtetën

“Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vazhdon sulmin ndaj arsimit, duke deklaruar të pavërtetën, nga njëri takim në tjetrin, për pjesëmarrjen e arsimit të detyruar dhe atij të mesëm, për infrastrukturën shkollore, për mësimin e gjuhëve të huaja, për arsimin profesional dhe atë të lartë”.

“Nuk është sistemi arsimor, i cili ka 1300 shkolla tashmë, të reja dhe të rikonstrukturuara, pra rreth 71% të tyre në rang vendi, që pengon shndërrimin në realitet të ëndrrës europiane të shkollarëve, por jeni ju zoti Rama, që nuk votoni 3 ligjet që kërkon Komisioni Europian”.

“Nuk është arsimi i vendit, që ka nivelet më të larta në botë të ndjekjes së arsimit të mesëm dhe të lartë, por është vullneti juaj zoti Rama, për të mbajtur peng marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian”, tha Fatmir Vejsiu, drejtor i Arsimit Parauniversitar në MASH.

 

Top Channel