Rinia shqiptare po mban Kongresin e parë mbarëkombëtar në Shkup. Studentë nga të gjitha trevat shqiptare, para fillimit të punimeve të Kongresit, kanë vizituar ambasadën e Shqipërisë në Maqedoni.

Në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, studentët i kanë dhuruar ambasadës një flamur të qendisur me dorë, i cili u ngrit në shtizë para godinës së amadasadës.

Lida Rragami, organizatore e Kongresit të parë mbarëkombëtar: “Është kënaqësi dhe privilegj, që Kongresi i parë mbarëkombëtar i rinisë shqiptare të mbahet në Shkup dhe pikënisja e rrjetit të rinisë mbarëkombëtare të jetë Shkupi. Qëllimi i Kongresit është vizioni rinor për një të ardhme kombëtare, vizionare, paqësore dhe prosperuese, përveç trojeve tona po ashtu dhe për rajonin”.

Ambasadori shqiptar në Shkup, Arben Çejku, pasi falënderoi studentët për këtë dhuratë, tha se 100-vjetori i ardhshëm i takon rinisë shqiptare.

Arben Çejku, ambasador i Shqipërisë në Maqedoni: “Aktiviteti juaj starton shekullin e ri shqiptar, një shekull të bukur, të cilin ju do ta zbukuroni me veprat tuaja dhe me punën tuaj. Në vitin 1962, ishte 50-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, i cili na gjeti të ndarë, të izoluar dhe të robëruar dhe, sigurisht, askush nuk mendonte se do të vinte një ditë, kur ne, të lirë, të bashkohemi në festën tonë të madhe për flamurin kombëtar”.

Për studentët, ambasada kishte organizuar një program me valle dhe këngë patriotike shqiptare. Në fund të programit, për të gjithë studentët ambasadori Arben Çejku ndau nga një flamur kombëtar, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Top Channel