Kur kanë mbetur më pak se 48 orë, nga dita që Komisioni Europian do t’u raportojë vendeve anëtare, nëse Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e saj për marrjen e statusit, kryeministri Sali Berisha i bëri apel kryetarit të opozitës, Edi Rama, të mos shndërrohet në bllokuesin e integrimit të Shqipërisë, por të bashkohen për votimin e tre ligjeve në parlament.

Gjatë një vizite në komunën e Farkës, në periferi të Tiranës, zoti Berisha këmbëngulte në ftesën për zotin Rama, edhe pse beson se kërkesa e socialistëve, për të shtyrë gjyqin për qarkun e Fierit pas datës 20 nëntor, synon mbajtjen pezull të vendimit të drejtësisë, derisa Shqipërisë t’i refuzohet statusi për herë të tretë.

“Një akt, me të cilin synohet t’u bllokohet shqiptarëve, në 100-vjetorin e Pavarësisë së tyre, marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. “Unë, në mënyrën më të sinqertë, dua t’i them se, është gabim fatal të rrahë gjoksin se mund të bllokojë. Nuk është kjo, ajo që qytetarët e këtij vendi presin nga ti! Le të jem unë i gabuar! Por, sërish e ftoj zotin Rama, të ulemi sot pasdite, në darkë, nesër, në çdo kohë, për tre ligjet, të bëjmë çdo përmirësim që ata propozojnë dhe ne nuk kemi asnjë kundërshtim. Sot, ne kemi në dorën tonë ta bëjmë të reale ëndrrën europiane. Ky 100-vjetor është një apel i fuqishëm për ne, të bashkohemi, të punojmë së bashku, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha ishte në komunën e Farkës, për të inauguruar dy investime të rëndësishme për zonën, rikonstruksionin e digës së liqenit të Farkës dhe mbjelljen e 20 mijë drurëve frutorë dhe dekorativ në parkun e këtij liqeni.

Sipas një studimi, me një investim prej 3.2 milionë euro, kjo zonë është parashikuar të kthehet në një park zbavitës dhe çlodhës në periferi të kryqytetit. Duke e konsideruar zhvillimin e kësaj zone si pjesë të projektit për Shqipërinë vend i zhvilluar, kryeministri Berisha vuri në dukje se, në themel të përballimit të krizës botërore nga Shqipëria dhe rritjes pozitive ekonomike, qëndrojnë përpjekjet e përbashkëta të qeverisë dhe shqiptarëve, për të rritur mirëqënien e tyre.

“Ne ende nuk jemi vend i zhvilluar, por po ecim me shpejtësi në rrugën e zhvillimit. Këto vite të krizës më të thellë financiare europiane e botërore, Shqipëria i përballoi pasojat e saj. Fermerët, sipërmarrësit shqiptarë nuk u gjunjëzuan. Këto vite, rritja ekonomike e vendit, e 5 viteve së bashku, ishte më e larta se e çdo vendi tjetër në Europë. Eksportet u dyfishuan. Shqipëria është i vetmi vend, sipas Komisionit Europian, që papunësia jo vetëm nuk u rrit, por u ul në mënyrë të ndjeshme progresive”, vazhdoi më tej Berisha.

Gjatë qëndrimit në Farkë, kryeministri mori pjesë edhe në Panairin “Baçja e Tironës”, ku komunat Farkë, Petrelë, Baldushk dhe Bërzhitë ekspozojnë prodhimet ushqimore dhe artizanale të zonave të tyre.

Në 5 vitet e fundit, qeveria ka subvencionuar në qarkun e Tiranës rreth 1500 projekte në bujqësi dhe blegtori, mes të cilave kryeministri veçoi subvencionimin e 1000 hektarëve me ullinj, dru frutore, sera dhe arrore.

Kryeministri Berisha premtoi rritjen e mëtejshme të mbështetjes financiare nga qeveria për fermerët dhe ndërtimin, gjatë mandatit të ardhshëm, të gjithë rrjetit rrugor të qarkut të Tiranës, për të mundësuar sipas tij, nxjerrjen e shpejtë të prodhimeve në treg.

Top Channel