Në emër të grupit parlamentar demokrat, kreu i tij, Astrit Patozi i bëri
thirrje socialistëve që të mos kthehen në pengesë për Shqipërinë në
procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat.

“Ndonëse sot është fundjavë, ndonëse ka mbetur edhe shumë pak kohë në dispozicion jemi të gatshëm që në çdo orë të ulemi dhe të shqyrtojmë pa vonesë të tre projektet që Brukseli pret të miratohen prej nesh. Le të mbledhim menjëherë Komisionet Parlamentare dhe të përgatisim në kohën më të shkurtër për në seancë dy ligjet dhe ndryshimin e rregullores. Maxhoranca nuk i shmanget asnjë debati dhe nuk i bën bisht asnjë ballafaqimi me të cilindo faktor politik,aq më pak me forcën kryesore të opozitës, por Parlamenti është tryeza më përfaqësuese që mund të organizohet dhe po aty gjenden edhe mjaft zgjidhje politike”, tha Patozi.

Sipas zotit Patozi, grupi parlamentar demokrat mirepret çdo propozim te opozites dhe eshte i gatshëm për lëshime, por pa dhënë asnjë detaj deri në ç’pike ato do te mund te arrinin.

“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike mirëpret cdo propozim, cdo amendament dhe cdo sygjerim të palës tjetër për të tre reformat. Ne jemi të hapur gjithashtu për cdo lëshim në rast se opozita na e jep këtë mundësi. Javën e shkuar ne miratuam pa debat amnistinë. Eshtë shumë trishtues fakti që biem lehtësisht dakord për lirimin e të burgosurve, ndërkohë që duke mos votuar ligjet e integrimit po burgosim aspiratën e madhe të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë”, tha Patozi.

Top Channel