Milano, statujat e Duomos për adoptim

17/11/2012 00:00

Katedralja kryesore e qytetit të Milanos, në Itali, i ka nxjerrë
statujat e saj për adoptim, në përpjekje për të gjetur fonde për
restaurimin e tyre.

Donatorët që do të kontribuojnë me të paktën 100 mijë euro do të kenë emrin e tyre të shkruar tek statujat, që janë kryesisht figura groteske të arkitekturës mesjetare.

Fushata për grumbullimin e fondeve është prezantuar pas shkurtimit të fondeve për monumentet e kulturës nga qeveria italiane, në kuadër të masave anti-krizë.

Stafi menaxhues i Duomos deklaroi se dëshiron të inkurajojë qytetarët e Milanos dhe të gjithë botës që të bëhen protagonistë të historisë së katedrales, “një thesar i paçmueshëm që i përket njerëzimit”.

Stafi synon të mbledhë deri në 25 milionë euro për mirëmbajtjen kryesore të objektit të kultit, njoftojnë mediat italiane online.

Duomo e Milanos është katedralja e katërt më e madhe në botë dhe për ndërtimin e saj janë dashur 6 shekuj. Ndërtimi i saj filloi në vitin 1386 dhe u përfundua nga perandori francez Napoleon, që tha se do të paguante për fasadën e saj.

Trashëgimia kulturore në Itali është prekur nga masat anti-krizë, që kanë çuar në mbylljen e disa muzeve dhe në shembjen e disa monumenteve për shkak të vjetërsisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA