Prej verës së vitit të kaluar, ura kryesore mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës ka marrë një pamje tjetër. Një barrikadë është vendosur nga strukturat ilegale serbe dhe lëvizja e lirë është e pamundur.

Në mënyrë simbolike, Malsor Bejta, Antigona Selmani dhe Loreta Ukshini, 3 të rinj kosovarë të mbështetur nga Bashkimi Europian, treguan se si pengesa të tilla mund të ngrihen nga mendja e njeriut dhe se po atij i takon t’i rrëzojë. Ata i lidhën dy pjesët e qytetit të Mitrovicës, përmes një kalimi të krijuar me zambakë uji.

“Simbolika? Për të provuar të marrim shembull nga sjelljet çnjerëzore, për t’iu larguar egos njerëzore dhe për të jetuar më mirë. Thjesht, për t’i lënë anash gjërat që na ndajnë dhe për të provuar të gjejmë gjërat që na bashkojnë, të cilat janë virtytet njerëzore dhe vlerat europiane”, tha Malsor Bejta, bashkëautor i “Ura e Zambakëve”.

Për përfaqësuesin special të Bashkimit Europian, Samuel Zhbogar, nganjëherë urat nuk përdoren vetëm për të kaluar lumenjtë. Por, i pyetur se si të tejkalohen pengesat, Zhbogar u shpreh se, dialogu është e vetmja mënyrë.

“Vetëm nëpërmjet dialogut dhe për këtë arsye po e ndihmojmë dhe po e lehtësojmë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vetëm nëpërmjet dialogut, ne mund të ndihmojmë që t’i përmirësojmë këto marrëdhënie. Ne shpresojmë që dialogu, që po e ndihmojmë në Bruksel, do të ndihmojë që të ndërtojë jo vetëm këto ura zambakësh, por të ndërtojë edhe ura të tjera në tërë Kosovën”, tha Samuel Zhbogar, përfaqësues special i BE-së në Kosovë.

Zhbogar u largua nga Mitrovica pas përurimit të kësaj ure, vepër artistësh, ndërsa për barrikadën mbi urën kryesore, tha se shpreson që qytetarët në të dy anët do të ndihmojnë për ta larguar atë.

Top Channel