Tre izraelitë janë vrarë nga një sulm me raketa të lëshuara nga Rripi i Gazës, në një përshkallëzim të dhunës në rajon. Këto viktima vijnë pasi të mërkurën u vra lideri i Hamasit nga një sulm ajror i avionëve ushtarakë izraelitë në Rripin e Gazës.
Dëshmitarët nga vendngjarja thanë për BBC se makina e Ahmed Said Khalil al-Jabari u qëllua nga një raketë në kohën kur po udhëtonte në qytetin e Gazas.
Izraeli fajëson al-Jabarin për të gjitha sulmet terroriste të ndëmarra kundër qytetarëve dhe interesave të tij në dhjetë-vjeçarin e fundit.
Hamasi ka reaguar pas vrasjes se Ahmed Said Khalil al-Jabari. Zëdhënësi i grupit palestinez që qeveris Rripin e Gazës e cilësoi vrasjen e tij një “akt pabesie me pasoja të mëdha për Izraelin”.
E menjëherë pas kësaj deklarate në Gaza janë dëgjuar të tjera shpërthime të fuqishme që për momentin nuk dihet nëse janë pasojë e veprimeve luftarake të ushtrisë izraelite apo “hakmarrje” e Hamasit për vrasjen e liderit të saj ushtarak.
Përshkallëzimi i dhunës rrit frikën për luftë në rajon, ndërsa situata mbetet tejet e tensionuar mes palëve.
Jabari është i pari udhëheqës i lartë i Hamasit i vrarë nga forcat izraelite në këto katër vjet. Aksioni izraelit pasoi deklaratët e politikanëve dhe udhëheqësve të lartë ushtarakë në Tel Aviv lëshuar së fundmi ku thonin se po marrin seriozisht në konsideratë vrasjen e krerëve të Hamasit që operojnë në Gaza pas rritjes së bombardimeve me raketa nga ky territor drejt qyteteve izraelite.
Që nga e shtuna katër civilë dhe tre militantë palestinezë, përfshirë këtu edhe Jabarin, janë viktimat e bombardimeve izraelite në territoret palestineze.
Top Channel