Skandali me ish shefin e CIA-s

15/11/2012 02:18

Petreas Gejt, apo lidhja jashtëmartesore e gjeneralit me biografen e tij, Paola Broduell, është një nga çështjet më të diskutuara në Uashington.

Jo vetëm se ajo lidhet me dorëheqjen e shefit të CIA-s, David Petreas, por edhe se skandali përfshiu një tjetër gjeneral të lartë, Xhon Allen, i parashikuar të merrte detyrën e komandantit të NATO-s në Europë.

Ligjvënësit amerikanë janë shprehur të shqetësuar, duke e lidhur “historinë Petreas-Broduell” me “sigurinë kombëtare”, pasi u raportua se në kompjuterin e biografes, u gjetën dokumente sekrete.

Ngjarja më e ndjeshme, për të cilën CIA u vu në shënjestër të akuzave, e cila u shndërrua dhe një kalë beteje për republikanet gjatë fushatës presidenciale, ishte vrasja e ambasadorit Kristofer Stivens në Bengazi. Për këtë David Petreas do të raportojë në Kongres të enjten.

Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Barak Obama tha se, nuk ekziston asnjë fakt që lidhja jashtëmartesore e Petreas të ketë kompromentuar sigurinë kombëtare.

“Po e mbaj gjykimin në respekt se si shkoi i gjithë proçesi që rrethoi Gjeneralin Petreas. Nuk e kemi ende të gjithë informacionin. Kam shumë besim te FBI dhe ata kanë një detyrë të vështirë për të bërë”, tha Obama.

Senatorët republikanë kërkuan një komitet të përbashkët me demokratët, për të hedhur dritë mbi sulmin në Bengazi, ku humbën jetën katër amerikanë, mes të cilëve edhe ambasadori Kristofer Stevens.

Obama nuk pranoi të thoshte, nëse Shtëpia e Bardhë duhet të ishte informuar më herët për hetimet ndaj Petreasit.

Obama rithekson: Të pasurit, më shumë taksa

Gjatë konferencës për shtyp, presidenti amerikan Barak Obama ripërsëriti thirrjen, që të pasurit në Shtetet e Bashkuara të paguajnë më shumë taksa, si edhe për kandidaturën e mundshme të ambasadores në OKB, Susan Rice, në krye të Departamentit amerikan të Shtetit.

“Ajo nuk ka asnjë përgjegjësi për sulmin në Bengazi”, – tha presidenti amerikan, duke iu referuar informacioneve të marra nga shërbimet sekrete. Kjo u konsiderua si sfida e tij ndaj republikanëve, të cilët kërcënuan se do të vendosin veton për kandidaturën e saj.

Ai bëri thirrje për një vendim të shpejtë, për të përjashtuar rritjen e taksave për të ardhurat e para prej 250 mijë dollarë, ndërsa refuzoi të zgjaste shkurtimet prej 2 për qind për të pasurit.

“Ne nuk duhet ta mbajmë klasën e mesme peng, teksa debatojmë për shkurtimin e taksave për të pasurit”, deklaroi Obama.

Shtetet e Bashkuara po përballen me të ashtuquajturin “shkëmbi fiskal”, që ka të bëjë me shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e taksave.

Shkëmbi fiskal parashikon përfundimin e epokës së shkurtimit të taksave të George W. Bush, të kombinuar me shkurtime automatike në sektorin ushtarak dhe sektorë të tjerë të brendshëm.

Shkurtimet automatike janë të prirura të ndodhin, pasi Kongresi dështoi në arritjen e një marrëveshjeje për reduktimin e defiçitit, pas një debati mbi kufirin e borxhit nga mesi i vitit 2011.

Republikanët kanë deklaruar, që prej javës së shkuar, se janë të hapur për rritjen e të ardhurave përmes reformës së taksave, por kundërshtojnë rritjen e tyre për të pasurit.

Glenn Hubbard, këshilltar ekonomik i Mitt Romney, në një shkrim për “Financial Times” u bëri thirrje republikanëve, që të pranojnë nevojën që të pasurit të paguajnë më shumë, edhe pse duke mbyllur shtegje si zbritja e taksave.

Ndërsa republikanë të tjerë mbështesin përfundimin e të drejtës së amerikanëve për të zbritur interesat e pagesave të hipotekës nga të ardhurat e taksuara, gjë që sipas analistëve ka të ngjarë të dëmtojë klasën e mesme më shumë se të pasurit.

Top Channel