Thellohet misteri i skandalit të pasaportave biometrike kosovare. Policia ka ndaluar një shtetase gjermane, si të dyshuarën kryesore për vjedhjen e fondit që duhej t’i kalonte kompanisë austriake, që prodhon pasaportat e reja.

Por, kur është marrë në pyetje nga prokurori i EULEX-it, shtetësja gjermane Natalie Velijaj akuzon direkt zyrtarë të Ministrisë kosovare të Punëve të Brendshme, për vjedhjen e 1.4 milionë eurove.

Ajo thotë se ka shumë fakte që e provojnë këtë, por se nuk do t’ia tregojë prokurorisë, përveçse nëse merret si dëshmitare bashkëpunuese dhe jo, siç thotë ajo, si viktimë e EULEX-it.

Natalie Velijaj është arrestuar ditë më parë nga autoritetet policore, nën dyshimin se, duke qenë përfaqësuese e kësaj kompanie në Kosovë, nuk ka bërë transferimin e 1 milionë e 400 mijë eurove në llogarinë e kompanisë në Austri.

Top Channel ka siguruar bashkëbisedimin e saj me prokurorin e EULEX-it, Pascal Persons. Velijaj nuk mohon marrjen e 1 milionë e 400 mijë eurove nga Ministria e Brendshme, sikurse edhe faktin që nuk e ka transferuar këtë shumë parash në llogarinë e kompanisë në Austri.

Prokurori : Çfarë ka ndodhur me paratë?

Natalie: Nëse do ta kishit hetuar, ju nuk do të më kishit pyetur për këtë. Unë dëshiroj t’ia çoj provat prokurorit. Dua të shkoj në nivelet e larta të EULEX-it. Nëse ata duan të më dëgjojnë, atëherë ne do të bisedojmë. Siç e dini, Ministria e Brendshme nuk ka derdhur vetëm 1.4 milionë në llogarinë e kompanisë sime, por më shumë se 3 milionë euro.

Gashi: Dhe shuma e fundit që është paguar në llogarinë e kompanisë së Natalisë është mbi 1.4 mln. Këtë shumë të deklaruar, ajo e vërteton që nuk e ka dërguar në firmën austriake. E ka bërë sepse duket që kjo ka patur urdhëresa të tjera prej kompanisë austriake, që tregojnë për një aferë korruptive, jo të sajën, por të zyrtaëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. (Tomë Gashi, avokat mbrojtës i Natalie Velijajt)

Prokurori: A ishin transfertë e suksesshme 1 milionë e 400 mijë euro?

Natalie: Nuk ishte transfertë e suksesshme. Unë nuk dua t’i përgjigjem kësaj pyetje, se ku kanë shkuar paratë, dhe të mbetem viktimë. Unë dëshiroj të bëhem dëshmitare bashkëpunuese, ku ne mund t’i prezantojmë provat. Ne mund të diskutojmë gjithë çështjen me personat e implikuar dhe gjithë provat që unë kam. Unë dëshiroj një prokuror, një gjyqtar dhe një hulumtues të EULEX-it.

Gashi: Asnjë cent i paguar nga Ministria e Punëve të Brendshme, më konkretisht shuma e 1.4 mln eurove, nuk është zhdukur, por janë të gjitha në llogari dhe dihet gjithashtu se kush i ka marrë këto shuma.

I pyetur për këtë çështje, nëse është kërkuar llogaridhënie nga Ministria e Brendshme, zëvendëskryeministri Kuçi tregoi se janë njohur më përpara me rastin, sepse vet Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, ka kërkuar hetimin. Deri më tani, për këtë çështje mbesin të arrestuar Natalie Velijaj dhe dy bashkëpunëtoret e saj të kompanisë Consulting Eu, nënkontraktuese e kompanisë austriake, e cila prodhon pasaportat biometrike.

Top Channel