Franca: Të armatosim rebelët sirianë

15/11/2012 20:40

Ministri i Jashtëm i Francës deklaroi se do të bisedojë me partnerët e tij europianë, mbi mundësinë e furnizimit me armë të kryengritësve sirianë.

Më parë, ministri Laurent Fabius kishte deklaruar se Parisi do të sfidonte bllokadën e armëve që është vendosur mbi Sirinë, por pa folur për një pjesëmarrje konkrete në armatosjen e rebelëve që luftojnë Presidentin Bashar al-Assad.

Deklarata e kryediplomatit francez erdhi pasi Parisi u shndërrua në kryeqytetin e parë europian që njohu kryengritësit si qeveri të ligjshme siriane.

“Për momentin, ekziston një embargo, prandaj shtetet europiane nuk po dërgojnë armë. Megjithatë, kjo masë duhet të rishikohet, veçanërisht për armët difensive”, deklaroi Fabius, në një intervistë për radion “RTL”.

“Vetë kryengritësit na kanë kërkuar që të bëhemi avokatë të kësaj çështje, por një masë e tillë mund të merret vetëm e koordinuar me vendet e tjera europiane”.

Më parë gjatë ditës, homologu rus i Fabius, ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, lëshoi një sulm të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Francës, për shkelje të “rregullave dhe konventave ndërkombëtare”, në mbështetjen që i kanë dhënë kryengritësve.

Top Channel