Tre javë pas vrasjes makabre të bashkëshortëve Enver dhe Hazbie Myftaraj në Belishovë të Mallakastrës, prindërit e autorit 19-vjeçar kërkojnë nga drejtësia ndëshkimin maksimal për Xhevitin, djalin e tyre.

Të tronditur dhe të frikësuar nga akti i të birit, Bajram dhe Drita Malkaj, jo vetëm që e dënojnë veprimin e rëndë që bëri djali i tyre, por kërkojnë ndëshkimin kapital për të.

Bashkëshortët Malkaj kërkojnë nga presidenti dhe kryeministri që djali i tyre të varet pikërisht në vendin ku vrau e më pas dogji bashkëshortët Myftaraj. Ata thonë se nuk mund të vuajnë veprimin e rëndë që kreu i biri.

“Djali im duhet të marrë ndëshkimin më të madh. Atje ku vrau çiftin Myftaraj edhe djali im atje të vritet. Ja kërkoj këtë gjytarëve, presidentit Nishani dhe kryeministrit Berisha dhe për këtë të njoftohen tërë fshatarët e mi, fshatarët e Belishovës me njohin mua, më njohin familjarët e viktimave. Duhet ta marrë vesh gjithë njerëzia që ky veprim duhet të përfundojë atje ku u vra çifti Myftaraj. Këtë e them me zemër; djali na ka helmuar kockat!”, thotë Bajrami, i ati i autorit të krimit të rëndë.

Pasi ka qendruar i ngujuar për tre javë rresht, megjithëse i friksuar i ati i autorit kërkon largimin e policisë nga shtëpia. Dy patrulla policore qendrojnë për të shmangur ndonjë incident të mundshëm mes tyre dhe familjarëve të viktimave.

Bajrami thotë se duhet të dalë në punë pasi nuk ka mundësi të tjera financiare për të jetuar. Ai shton se deri më tani nuk ka marrë asnjë kërcënim nga familjarët e bashkëshortëve të vrarë.  

Top Channel