Francë, krimi përçan parlamentin

13/11/2012 20:40

Ministri i Brendshëm i Francës akuzoi paraardhësit e tij në qeveritë demokrate për neglizhim të rrezikut të terrorizmit dhe paaftësi në luftën kundër krimit, që sipas tij ka pësuar një rritje “katastrofike”.

Ministri i qeverisë socialiste të Hollande, Manuel Valls, fajësoi ish-Presidentin Nicolas Sarkozy dhe ministrat e tij për rritjen “e pabesueshme”, sipas tij, të pasigurisë së jetës në vend.

”Është qeverisja juaj, e vetmja që duhet fajësuar për rikthimin e terrorizmit në këtë vend”, deklaroi Valls, gjatë një seance parlamentare.

Kjo deklaratë e ashpër e Valls shkaktoi një debat të irrituar në sallë, ndërsa deputetë të opozitës kërkuan njëzëri në korr dorëheqjen e tij.

Shpërthimi i ministrit të Brendshëm erdhi pasi një deputet i partisë së Sarkozy, kërkoi shpjegime për të dhënat e kriminalitetit, që sipas një artikulli të publikuar në tetor të përditshmen “Le Figaro”, gjatë muajve të fundit ka pësuar një rritje të paprecedent.

Statistikat e publikuara në gazetë treguan për një rritje me 9% të krimeve të dhunshme, 8% të vjedhjeve dhe 18% të krimeve ekonomike.

Sipas demokratëve të qendrës së djathtë në opozitë, shifra të tilla kaq alarmante të kriminalitetit nuk ishin parë që prej qeverisjes së socialistit Lionel Jospin, në vitet 1997-2002.

Top Channel