Vuçiç në Francë: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës, duhen vendime të guximshme
“Më shumë kohë mund të jepet për të reduktuar borxhin grek”. Kështu ka deklaruar ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble lidhur me zgjatjen e afateve, që përveç reduktimit të defiçitit do të shërbente edhe për borxhin grek.
“Objektivi për ta çuar borxhin në kuotën 120 për qind të GDP-së në vitin 2020 është paksa ambicioz”, ka thënë Schaeuble gjatë një vizite në Paris.
“Mendojmë se një marrëveshje për Greqinë është e nevojshme dhe mund ta arrijmë të martën e ardhshme”, ka thënë nga ana tjetër ministri francez i Financave, Pierre Moscovici.
Dy ministrat e Financave, në konferencën e përbashkët për shtyp, kanë shprehur pikëpamje të përbashkëta përsa i përket krizës financiare greke.
Ndërkohë, në Greqi vazhdojnë grevat dhe protestat. ADEDY, një nga dy sindikatat më të mëdha të Greqisë ku përfshihen punonjësit shtetërorë, ka organizuar për sot ndërprerjen e punës nga ora 12:00 deri në përfundim të turnit ditor.
Veprimi në fjalë bëhet në shenjë proteste ndaj paketës së masave anti-krizë të miratuar nga Parlamenti të mërkurën e kaluar dhe që parashikojnë mes të tjerash nxjerrjen në asistencë të 2 mijë funksionarëve publikë.
Ndërkohë, për nesër, më 14 nëntor, në kuadër të ditës paneuropiane të protestës kundër politikave anti-krizë, ADEDY bashkë me sindikatën tjetër GSEE, që përfaqëson sektorin privat, kanë organizuar po ashtu ndërprerjen e punës në të njëjtin orar, si dhe një manifestim në sheshin Klathmonos, në qendër të Athinës.
Top Channel