Gjashtë shtete të Gjirit Persik kanë njohur një koalicion të ri opozitar në Siri si “përfaqësuesit legjitimë të vendit”.
Koalicioni Kombëtar për Revolucionin Sirian dhe Forcat e Opozitës u shpall të dielën në Doha të Katarit, me qëllim unifikimin e fraksioneve që kërkojnë të rrëzojnë presidentin Bashar al Assad.
Kryetari i koalicionit do të jetë Moaz al Khatib, një ish imam i xhamisë Umajad në Damask, që u largua nga Siria më herët gjatë vitit. Vendet perëndimore dhe Turqia më herët gjatë ditës mirëpritën krijimin e koalicionit.
Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se tanket e saj kanë kryer “të shtëna direkte” ndaj artilierisë siriane pasi goditje mortaje siriane u qëlluan dhe ranë pranë një pike ushtarake izraelite në Lartësitë e Golanit për të dytën ditë rresht.
Një ankesë është bërë pranë komandës së forcave të OKB-së që veprojnë në zonë, pas asaj që korrespondentët e cilësuan si incidentin më të rëndë mes dy vendeve që prej luftës arabo-izraelite në vitin 1973.
Ndërkohë, në zona të tjera, aviacioni i qeverisë siriane bombardoi qytetin e kontrolluar nga rebelët, Ras al Ain, në afërsi të kufirit me Turqinë. Dy avionë dhe disa helikopterë shënjestruan qytetin, duke spostuar civilët në arrati drejt kampit turk Sejlanpinar.
Për fat të mirë, nuk janë raportuar viktima. NATO ka deklaruar se do të bëjë gjithçka për të mbrojtur Turqinë, një nga vendet anëtare të saj.
Gjatë javës së kaluar, ka pasur zëra se Aleanca mund ta furnizojë Turqinë me raketa tokë-ajër të tipit “Patriot”, në mënyrë që të mbrojë kufirin e saj.
Top Channel