Panik në bordin e avionit më të madh në botë

12/11/2012 16:45

Udhëtarë të tmerruar përshkruan për mediat australiane se si avioni në të cilin udhëtonin realizoi një ulje emergjence nga 4 mijë metra lartësi, pasi dëgjuan një shpërthim të fortë, i shoqëruar nga flakë në një prej motorëve.

Airbus A380 i kompanisë “Emirates”, realizoi një ulje emergjence në një aeroport të Sindneit, ditën e hënë, kur pak pas nisjes për në Zelandën e Re “gjuhë flake” deri në dy metra u shfaqën në një prej motorëve.

”Në fillim mendova se shpërthimi do të ishte ndonjë vetëtimë, por brenda sekondash e gjithë kabina mori ngjyrën portokalli të zjarrit, i cili kishte përfshirë avionin në njërin krah. Piloti u mundua të na qetësonte duke thënë se gjithçka ishte nën kontroll dhe se po ktheheshim në Sidnei, por në kabinë mund të dëgjoheshin vetëm thirrje terrori, të qara dhe njerëz që luteshin”, deklaroi John Fothergill, një prej pasagjerëve, në një media australiane.

Ndryshe nga sa mund të pritej, në këtë rast, stjuardesat nuk dukeshin aspak të trajnuara për të përballuar situatën. “Të gjithë vraponin sa lart poshtë, askush nuk jepte një udhëzim të qartë”, akuzoi një tjetër pasagjer, pas uljes urgjente, në të cilën u përdorën rrëshqitëset e ndodhura në krahun e kundërt me zjarrin, për të evakuar të gjithë personat e ndodhur në avion.

I futur në punë në vitin 2007, modeli A380 i “Airbus” është avioni më i madh civil në qarkullim, me një kapacitet prej 520 udhëtarësh, por i rritshëm deri në 800 persona, nëse ngushtohen hapësirat midis ulëseve dhe eliminohet klasi i parë.

Ndonëse nuk ka pasur asnjë aksident fatal me këtë model avioni, “A380” ka vuajtur deri tani disa probleme me motorët gjigantë që përdor, duke bërë që kompania më e madhe europiane e prodhimit të avionëve të premtojë modifikime për të bërë edhe më të sigurt avionin e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA