Presidenti i ICIC, Besnik Dervishi: Kosova forcon rolin e saj në zhvillimin e standardeve ndërkombëtare të transparencës
Një sasi prej 883 kilogramësh kanabis sekuestruan autoritetet greke në kufirn shqiptaro-grek, në zonën malore të Gumenicës.
Sipas policisë, sasia e narkotikëve ishte vendosur në 25 thasë të fshehura me kujdes në disa shkurre.
Droga ruhej prej pesë personave të armatosur me kallashnikovë dhe karabina.
Anti-droga greke kishte vënë në monitorim zonën, pasi prej ditësh ishte marrë informacion se persona të panjohur dërgonin lëndë narkotike të ngarkuar në kafshë nga zona malore që ndan dy vendet, në drejtim të zonës së Filatit.
Kjo zonë është më pak e ruajtur, pasi forcat policore monitorojnë vetëm akset rrugore, atë Kakavijë-Janinë dhe Gumenicë-Prevezë. Policia thotë se personat e armatosur u zbuluan pasi hapën zjarr ndaj një gjuetari që kalonte rastësisht në zonë, të cilin e ngatërruan me policinë. Prej plumbave të trafikantëve mbeti i plagosur lehtë gjuetari, i cili u dërgua në spitalin e Filatit me plagë të lehta.
Të dyshuarit mundën të largohen për në brendësi të kufirit shqiptar, pa u bërë i mundur arrestimi i tyre. Kjo është një ndër sasitë më të mëdha të kapura kohët e fundit në Greqi. Kjo sasi e çon në afërsisht 10 tonë kanabisin e kapur gjatë vitit 2012 nga policia greke.
Top Channel