Papunësia në Greqia arriti një rekord të ri prej 25,4% në muajin gusht, publikuan të dhënat e fundit të Athinës zyrtare ditën e premte.

Të rinjtë janë edhe një herë ata që po vuajnë më shumë shkurtimet e vazhdueshme të qeverisë dhe renien ekonomike, me më shumë se gjysmën e personave në moshën 18-25 vjeç, që nuk janë të aftë të gjejnë punë, ndonëse e kërkojnë një të tillë.

Sipas Insitutit Grek të Statistikave, “ELSTAT”, numri i përgjithshëm i të papunëve në gusht u rrit me 1,27 milionë, ose 352 mijë më shumë nga gushti 2011, kur papunësia ishte në nivelin e 18,4%.

Në krahasim me muajin paraardhës të matur, korrikun, papunësia është rritur me 0,6%.

Këto të dhëna publikohen në një moment kur perleshje masive kanë përfshirë vendin, pas miratimit të masave të reja shtrënguese, kusht për marrjen e këstit të ri prej 31,5 miliardë eurosh, nga kreditorët.

Pa këtë këst, Greqia do të ishte e detyruar të shpallte falimentimin përpara përfundimit të muajit.

Në publikimin e tij të përmuajshëm, “ELSTAT” shkruan se tashmë, tre në dhjetë grekë vuajnë nga mungesa serioze ekonomike, 50% më shumë që prej fillimit të krizës, që po shoqërohet me vitin e katërt radhazi të recesionit të thellë ekonomik.

Top Channel