
Përbërja arabike, kafeja më e vlerësuar nga ekspertët në të gjithë botën, mund të zhduket brenda vitit 2080.
Alarmi është dhënë pas një studimi të realizuar nga ekspertët e
kopshteve botanike mbretërore të Keuit, në Britaninë e Madhe, në
bashkëpunim me disa kolegë nga Etiopia.
Sipas studimit, shkak për rrezikun që i kanoset kafesë janë ndryshimet e klimës, konkretisht ngrohja globale që mund të çojë në zhdukjen e bimës së egër.
Bëhet fjalë për një alarm që mund të godasë rëndë tregun e kafesë, pija më e konsumuar në botë pas ujit dhe malli më i shkëmbyer pas naftës. Skenari më i mundshëm parashikon që brenda 70 viteve të ardhshme të ketë një reduktim të kokrës së egër arabike në një kuotë nga 65 deri në 99.7 për qind.
Vetë studiuesit nënvizojnë se bëhet fjalë për vlerësime “të kujdesshme”, sepse në testin e tyre nuk kanë marrë parasysh shpyllëzimin në shkallë të gjerë që ka goditur në këto vite Etiopinë dhe Sudanin e Jugut, territore që janë “zemra” e kësaj bime. Megjithatë, ata janë shprehur optimistë mbi mundësinë e ndërhyrjes për të ruajtur pasurinë gjenetike që përmban kjo bimë.
“Zhdukja e kafesë arabike është një perspektivë befasuese dhe shqetësuese, megjithatë objektiv i studimit nuk ishte ai i dhënies së alarmit steril. Skenari duhet parë më tepër si një pikë nisjeje për të vlerësuar çfarë veprimesh duhen ndërmarrë për ta shpëtuar”, kanë deklaruar studiuesit.
Top Channel