Siri, kryengritësit godasin godinat qeveritare

07/11/2012 15:55

Kryengritësit sirianë realizuan një seri sulmesh mbi disa godina qeveritare në kryeqytetin Damask, lajmëruan të mërkurën mediat ndërkombëtare.

Disa predha mortaje goditën zyrat e kryeministrit në një lagje të caktuar, pranë pallatit presidencial. Një aeroport ushtarak pranë kryeqytetit gjithashtu u godit.

Si kundërpërgjigje, forcat qeveritare realizuan disa bombardime ndaj rebelëve në disa pjesë të ndryshme të vendit.

Në ditët e fundit është vërejtur një gjallërim i aktivitetit të rebelëve, duke berë ekspertët që të bësojnë se trupat e Bashar al-Assad ndodhen përpara një ofensive të përqendruar në shkallë të gjerë.

Këto zhvillime erdhën në të njëjtën ditë kur kryeministri i Britanisë, David Cameron, i kërkoi presidentit të rizgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, që të bëjë më shumë për të përfunduar konfliktin sirian.

Deri tani, në luftën civile të nisur në mars 2011, besohet se mbi 36 mijë persona kanë humbur jetën, por të dhënat mbeten gjerësisht të paverifikuara dhe forcat opozitare këmbëngulin se bilanci tragjik është me disa mijëra viktima më i lartë.

Top Channel