Britania e Madhe, bisedime me rebelët sirianë

07/11/2012 10:00

Britania e Madhe do të nisë bisedimet me rebelët sirianë në përpjekje për të unifikuar opozitën ndaj regjimit të Bashar al-Assad. Lajmi vjen pasi kryeministri David Cameron mbërriti në Jordani për të vizituar Lindjen e Mesme.

Cameron do të bisedojë mbi luftimet në Siri me Mbretin e Jordanisë dhe do të takojë refugjatë nga konflikti.

Bisedimet me rebelët sirianë, sipas BBC, do të mbahen në Jordani dhe Turqi. Një zëdhënës theksoi se Britania nuk do të armatosë rebelët apo t’i japë këshilla ushtarake.

Gjithashtu bëhet e ditur se Britania e Madhe do të rrisë ndihmat humanitare për refugjatët sirianë duke u bërë donatori i dytë më i madh pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Cameron i ofron imunitet al-Assadit

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, u shpreh të marten se do t’i ofrojë paprekshmërinë dhe imunitetin nga përndjekja ligjore Presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, nëse do të vendosë të largohet nga vendi, duke i dhënë kështu fund luftës civile që po ndodh në Siri.

Në një reagim nga Abu-Dhabi, Cameron u shpreh se “komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë në konsideratë çdo zgjidhje të mundshme, për të larguar Assadin nga vendi”.

Sipas kryeministrit britanik, “ndonëse një zgjidhje e tillë mund të gjejë kritika të arsyeshme, është më e rëndësishme të shpëtohen jetët e pafundme njerëzore që po humbin në Siri, se sa vetë dënimi i Presidentit”.

Megjithatë, deklarata e kryeministrit u kërcënua ashpër nga “Amnesty International”, organizata e të drejtave të njeriut që këmbëngul se kushdo duhet të përgjigjet për krimet e tij.

”David Cameron duhet të mbështesë përpjekjet që Assad të dalë përpara drejtësisë, në rastin më të preferueshëm përpara Gjykatës Kriminale të Hagës”, shkruante “AI”, në një deklaratë.

Siria është e përfshirë nga lufta civile që prej marsit 2011 dhe të paktën 35 mijë persona kanë humbur jetën deri tani.

Top Channel