Auditi i BE-së, 5 mld euro të shpërdoruara

06/11/2012 21:50

Një audit i brendshëm kritikoi Bashkimin Europian, për paaftësinë e tij për të kontrolluar si duhej shpenzimet gjatë vitit të shkuar.

Sipas grupit të ekspertëve të Gjykatës Europiane, për shkak të gabimeve të ndryshme në planifikim dhe zbatimin e investimeve të ndryshme, mbi pesë miliardë euro u shpërdoruan nga buxheti i vitit 2011.

Për kritikët, këto të dhëna vijnë në një moment delikat, duke ekspozuar mundësinë e shpërdorimeve, në një kohë kur Komisioni Europian shpreson që të rrisë buxhetin për 6-vjeçarin 2013-2019.

“Me financat publike të Europës nën presion të fortë për shkurtime, është e qartë se BE duhet të marrë masa që të përdorë në mënyrë më efiçente paratë e saj”, deklaroi presidenti i gjykatës, Vitor Caldeira.

“Shtetet anëtare duhet të vendosin rregulla më efikase për paratë publike dhe të hartojnë strategji për një shpenzim më të efektshëm të tyre”.

Në rekomandimin e gjykatës, thjeshtimi i rregullave komplekse të Bashkimit Europian dhe reduktimi i burokracive mund të ndihmojë në përmirësimin e situatës.

Top Channel