Për herë të parë në historinë e vajzave të “Playboy”, modelet do të jenë tërësisht të veshura, në një klub që ka fituar licensën për të përfaqësuar revistën më të famshme për meshkuj në botë në Indi.
Për shkak të kodeve strikte morale të vendit me 1,2 miliardë banorë, “Playboy” është detyruar që në klabin që do të hapë në një destinacion turistik indian, të vendosë që kamarieret dhe pjesëmarrëset e tjera t’i përmbahen një kodi, që do të shmangë veshjet provokuese, duke i zëvendësuar me një kod strikt veshje që pengon nudizmin, qoftë edhe të pjesshëm.
Shefi ekzekutiv i ambientit të ri, Sanjay Gupta, deklaroi se dëshiron që të krijojë një ambient, të cilin edhe gruaja e tij do ta vizitonte me kënaqësi, ndryshe nga 40 lokalet e tjera të “Playboy” nëpër botë.
“Lepurushet janë një pjesë integrale e kulturës së “Playboy”, prandaj ato do të jenë të pranishme, por kostumet e tyre do të përshtaten me ndjeshmërinë dhe kulturën indiane”, deklaroi Gupta, pa zbuluar se cila do të jetë ekzaktësisht veshja që do të përdoret.
E themeluar në vitin 1953 nga Hugh Hefner, revista “Playboy” prej dekadash është midis titujve më të shitur në Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke arritur kulmin me shtatë milionë kopie për numër në vitin 1972.
Aktualisht, “Playboy” shet mesatarisht tre milionë kopie në muaj në SHBA, ndikuar nga rënia që ka pësuar si rrjedhojë e konkurrencës së internetit.
Top Channel