Arbitrat, Milan bën aleancë me Interin

05/11/2012 12:40

Pas sulmeve të Massimo Moratti ndaj arbitrave, edhe administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani, bashkohet me presidentin e zikaltërve duke kritikuar gabimet e rënda të gjyqtarëve italianë.

Duke folur për gabimet e Tagliaventos në dëm të zikaltërve në sfidën Juve-Inter, Galliani theksoi: “Arbitri më kujtoi golin e Muntarit. Kaq kam për të thënë.”

Galliani i referohet golit të famshëm të ganezit të Milanit ndaj bardhezinjve sezonin e kaluar që nuk u akordua nga Tagliavento edhe pse topi kishte kaluar qartësisht vijën fatale të portës në ndeshjen që përfundoi në barazim 1-1.

Më pas, Galliani foli për fitoren 5-1 të Milanit ndaj Chievos që ka kënaqur edhe presidentin Berlusconi: “Jemi larg në renditje sepse kemi humbur shumë pikë deri tani. Jemi të shkëputur, jemi në vend të dhjetë dhe na duhen shumë ndeshje të fituara radhazi për tu rikthyer në vendet e para të klasifikimit.”

Milan do të luajë të martën ndaj Malaga në Ligën e Kampioneve dhe administratori i deleguar u shpreh në lidhje me këtë takim: “Me Malaga fitorja është shumë e rëndësishme sepse do ishte një hap i madh për kualifikimin në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA