Gjyshet për Obamën

04/11/2012 00:00

Brookhaven është një azil pleqsh në zonën Lexington, në Massachusetts. Që prej vitit 2008 në këtë godinë është themeluar organizata “Gjyshet për Obamën”.

Këto zonja i janë dedikuar sensibilizimit dhe promovimit tek bashkëmoshataret e tyre të programit që ka paraqitur Barak Obama. Pasi kanë ideuar mesazhet që duan të përcjellin, i kanë printuar thjeshtësisht në formë kartolinash për t’i dërguar nëpërmjet postës.

Pavarësisht modernizimit të fushatës elektorale nëpërmjet spoteve televizive, internetit apo formave të tjera, ato ndjehen krenare për formën sensibilizueze që kanë zgjedhur. Që nga themelimi në vitin 2008, organizata “Gjyshet për Obamën” numëron mbi 50 degë në të gjithë Amerikën.

Betsy Hatfield, koordinatore e organizatës “Gjyshet për Obamën”, thekson: “Sikurse edhe shumë grupe të tjera që kërkojnë të kenë ndikim në zgjedhje, ajo që na dallon është se ne nuk kemi buxhet, personel apo zyra. Gjithçka që ne bëjmë financohet po nga vetë ne. Mbajmë lidhje me zyrën qendrore të fushatës elektorale të Obamës nga ku marrim listat e votuesve. Gjithçka më pas është në dorën tonë. Jemi të lira të shprehim atë që ne besojmë.”

Gjatë një bashkëbisedimi me Margot Lindsay, themeluese e kësaj organizate, na tregon se ku qëndron ndryshimi mes politikave shëndetësore për të moshuarit që propozon Omaba dhe Romni: “Përpara nesh alternativat janë shumë të qarta. Të vazhdojmë të kemi ilaçe, një shërbim shëndetësor të përballueshëm, sigurimet shëndetësore për 30 milionë amerikanë që propozon Obama apo asnjërën prej tyre sipas asaj që na ofron Romney.”

Tashmë që tablloja e zgjedhjeve presidenciale është mëse e qartë dhe pritet një rezultat shumë i ngushtë, çdo votë merr një rëndësi të veçantë. Prandaj kampet elektorale kujdesen për të vlerësuar maksimalisht përpjekjet e çdo organizate në mbështetje të kandidatëve. Qofshin me format moderne apo ato klasiket që kanë zgjedhur gjyshet e Obamës nëpërmjet dërgimit të kartolinave me mesazhe elektorale.

Top Channel