“Sandy”, kthimi në normalitet i ngadaltë

03/11/2012 17:30

Pothuajse 1 milion persona në Nju Jork kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të uraganit “Sandy”, ndërkohë që rritet shqetësimi për ritmet e ngadalta të kthimit në normalitet.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama deklaroi se rikthimi i energjisë elektrike ishte kritik për administratën e tij.

Në Qytetin e Nju Jorkut, 80 për qind e sistemit të metrove është rikthyer në shërbim, por në shtetet fqinje si Nju Xhersi ka probleme me karburantin në 12 konte.

Autoritetet e vendosura në shtetet e goditura nga stuhia po kontrollojnë gjithashtu nëse qendrat e votimit mund të hapen për zgjedhjet presidenciale të ditës së martë.

Të paktën 96 të vdekur, 40 prej të cilëve në Nju Jork, i janë atribuar uraganit “Sandy”, që ndërsa kaloi nëpër Karaibe vrau 69 persona të tjerë.

Në tërësi, ndërprerja e energjisë nga “Sandy” vazhdon të prekë 2.5 milionë persona, sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Energjisë.

Bëhet fjalë për një rënie nga 3.5 milionë që ishin ditën e premte. Energjia është rikthyer kryesisht në Manhatan, por pjesë të tjera të Qytetit të Nju Jorkut vazhdojnë të jenë në terr.

Në Nju Xhersi, 32 për qind e banorëve vazhdojnë të mbeten pa elektricitet. Ndërsa mbi 400 mijë ndërtesa janë pa energji në Long Ajlënd dhe mbi 100 mijë të tjera në dy konte të varura prej saj.

Gjithësesi, guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo deklaroi se po punohet për të lehtësuar shpërndarjen e karburanteve.

Top Channel