Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk e rrezikon integritetin territorial të Kosovës.

Në një bashkëbisedim me aktivistët e partisë së tij, Mustafa ka thënë se si opozitë, LDK do t’i përmbushë të gjitha detyrimet e saj dhe do të sillet në mënyrë konstruktive.

”Dialogu do të përkrahet nga LDK-ja sepse nuk e rrezikon integritetin e vendit dhe është në harmoni me rezolutën e Kuvendit të Kosovës. Ne si opozitë do të sillemi në mënyrë konstruktive ndaj të gjitha zhvillimeve të rëndësishme dhe historike që i kërkon momenti dhe koha”, ka deklaruar Mustafa.

I pyetur nga agjencia e lajmeve “Rajonipress” nëse LDK do të dërgojë përfaqësuesin e saj në bisedime, Mustafa është përgjigjur duke thënë se: “Dialogun do ta udhëheqin institucionet e Kosovës”.

Më tej kryetari i partisë më të madhe të opozitës ka nënvizuar se LDK do vijojë të japë kontributin e saj edhe për vazhdimin e reformave, me qëllim funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë, zhvillimin ekonomik, etj.

“LDK do t’i përmbush detyrimet edhe në reformën zgjedhore dhe do të kërkojë vëzhgues ndërkombëtarë në mënyrë zgjedhjet të jenë legjitime edhe në aspektin ndërkombëtar”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se do t’i pëlqente që të respektohej marrëveshja për presidenten.

Ndërsa nga partitë e tjera të opozitës, AAK ka hedhur poshtë zërat se nënkryetari i saj Blerim Shala do të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, duke i quajtur ato “spekulime”.

Ndërsa përsa i përket lëvizjes Vetëvendosje, është i njohur qëndrimi i saj se, pa plotësimin e disa kushteve nga Serbia bisedimet me të as që duhet të mbaheshin.

Top Channel