Merkel: Edhe 5 vjet për të kaluar krizën

03/11/2012 19:00

“Do të duhen më shumë se 5 vjet për të kaluar krizën aktuale”. Deklarata është bërë nga kancelarja Angela Merkel, që ka nënvizuar se nevojiten rregulla për të bindur botën se ia vlen të investosh në Evropë.

“Duhet të mbajmë frymën edhe për të paktën 5 vjet. Është e nevojshme të jemi të rreptë për të bindur botën se investimi në Evropë është fitimprurës”, ka deklaruar Merkel.

Kancelarja, nën drejtimin e të cilës Gjermania i bëri ballë krizës ekonomike globale, ka shtuar se shumë investitorë nuk besojnë se vendet e BE-së do t’i mbajnë premtimet e tyre.

Një ditë më parë, në një editorial të rrjetit amerikan “CNN” thuhej se vendet europiane vazhdojnë të ndiejnë thellë pasojën e krizës së borxheve dhe të euros, duke kërcënuar rritjen ekonomike në mbarë botën.

Në këtë editorial argumentohej se, pavarësisht rritjes së pandalshme të ekonomisë kineze dhe zhvillimeve pozitive në SHBA, ekonomia europiane po frenon rritjen duke kërcënuar me stanjacion ose reçesion shumë vende të tjera të planetit.

”Në momentin kur ky reçesion do të përfundojë, Europa do të përballet me faktin se nuk është më atje ku ka qenë dhe se përpara se të mendojë për rritje, duhet të bëjë të mundur që të rikthehet atje ku ishte”, deklaroi Kevin Dunning, një ekspert ekonomik në Londër.

Banka Qendrore Europiane ka marrë disa masa për të qetësuar tregjet e lëkundura financiare, por ekonomistët presin që vendet europiane të vazhdojnë të vuajnë efektet e krizës edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, papunësia mesatare e 27 vendeve të BE-së u rrit me 11,6% në tetor, me sektorin industrial që pësoi një rënie për të 15-tin muaj radhazi.

Top Channel