Protestues të veshur me ngjyrë të kuqe do të protestojnë në mënyrë paqësore me moton “Drejtësi para Negociatave” për dy orë rresht, në qendër të Prishtinës ditën e shtunë.

Janë “Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës” dhe “Thirrjet e Nënave”, ato që paralajmërojnë një protestë të tillë, për datën 3 nëntor, ku kërkesat kryesore janë: të mos ketë negociata me Serbinë pa kërkuar falje ky shtet; të zbardhet fati i të zhdukurve nga lufta e fundit; drejtësi për krimet e luftës dhe kompensim për dëmet morale dhe ekonomike.

Nysrete Kumnova, e OJQ-së “Thirrjet e Nënave” u shpreh: “Ftojmë të gjithë qytetarët, që nesër të veshën kuq, për arsye se simbolizon gjakun e derdhur të të gjithë të rënëve, nga gjenocidi i ish pushtetit kriminal serb. Pa përmbushjen e këtyre kërkesave, çfarëdo negociatash me Serbinë janë të papranueshme. Dinjiteti njerëzor dhe shtetëror është parakusht i domosdoshëm për të hyrë në proçeset negociuese me Serbinë”.

Deri më tani, janë më shumë se 1 mijë e 800 persona, fati i të cilëve nuk dihet që prej përfundimit të luftës në Kosovë.

Më parë, zëvëndëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, pati deklaruar se në arkivat e ish ushtrisë jugosllave dhe të mekanizmave të tjerë, që kanë marrë pjesë në luftën e fundit, është adresa e të dhënave për fatin e të pagjeturve që prej 13 vjetësh.

Top Channel