Brazil, përgjaket qyteti i San Paolos

03/11/2012 17:55

Të paktën 10 persona kanë mbetur të vrarë dhe 8 të tjerë të plagosur gjatë natës në qytetin e San Paolos, në Brazil.

Ka shkuar kështu në 21 numri total i viktimave të regjistruara në 48 orët e fundit në përplasjen e armatosur mes policisë braziliane dhe organizatës kriminale Komanda e Parë e Kryeqytetit.

Situata në kryeqytetin ekonomik të vendit latin ka detyruar presidenten Dilma Rousseff dhe guvernatorin lokal Geraldo Alckmin që të njoftojnë masa radikale.

Sipas raportimeve të mediave latine, për t’u përballur me shkallën e lartë të dhunës krerët e vendit nuk do të përjashtojnë përdorimin e ushtrisë.

Qeveria braziliane po ndërmerr prej kohësh nisma për të pastruar qytetet e vendit nga lagjet famëkeqe, të njohura si favelas, që janë bastione të organizatave kriminale.

Nismat në fjalë po ndërmerren pasi vendi po përgatitet për Kampionatin e ardhshëm Botëror si dhe Lojrat e ardhshme Olimpike që do të zhvillohen në Rio.

Muajin e kaluar qindra policë brazilianë, të mbështetur nga autoblinda dhe helikopterë të ushtrisë, zhvilluan një operacion për të vendosur nën kontroll dy lagje periferike të Rios.

Top Channel