Eshtë mbyllur në barazim 1-1 superndeshja e kësaj jave të Superligës mes Besës së Kavajës dhe kampionëve të Skëndërbeut. Edhe pse duket një rezultat i paqtë, nuk ka qenë e tillë ndeshja.
Nuk kanë munguar loja e fortë, polemikat, kartonat, dëmtimet, 11-metërshat dhe golat, pra gjithçka brenda këtij 90 minutëshi që i ndau nga një pikë vendit të parë dhe të dytë të Superligës.
Pas një 11-metërshi të humbur të Pejiçit ishte Mihani që zhbllokoi takimin pas një goditjeje standarte të devijuar që nxorri jashtë loje portierin Shehi.
U duk se lojën do ta mbanin vendasit të cilët me mbështetjen e tifozerisë dhe me euforinë e krijuar mund t’ia dilnin, por shumë shpejt Berisha, një nga lojtarët kryesorë të kavajasve, la skuadrën me dhjetë lojtarë.
Në këtë 90 minutësh ai u bë protagonist vetëm për këtë gjë dhe hedhjet teatrore në disa raste. Vetëm 60 sekonda dhe Skëndërbeu gjeti golin e barazimit me Plakun, i cili përfitoi nga dalja e gabuar e portierit.
Ndërkohë, në Vlorë arrin të fitojë, madje bindshëm, FLamuartari 3-0 me Kastriotin. Veliu, Muzaka dhe Memelli ishin autorët e tre golave. Një fitore kjo me shumë vlera morale për skuadrën e Rubios, e cila me sa duket më në fund ka nisur të funksionojë si duhet.
Në ndeshjet e tjera Laçi mundi 3-0 Luftëtarin, i cili pësoi këtë humbje të parë nën drejtimin e Edi Martinit, ndërkohë që Ramadan Shehu regjistroi fitoren e parë si trajner i laçianëve. Ndeshja tjetër mes Shkumbinit dhe Apollonisë përfundoi në barazim 0-0.
Top Channel