Siri, krimet e luftës së kryengritësve

02/11/2012 15:40

Kryengritësit sirianë u akuzuan për krime lufte nga “Amnesty International” dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, pasi një video e publikuar të premten në rrjet tregoi disa rebelë duke ekzekutuar një grup ushtarësh të dorëzuar qeveritarë.

Pamjet e filmuar në mënyrë amatore treguan kryengritësit duke ushtruar dhunë brutale ndaj të pengjeve të luftës, përpara se të rreshtoheshin dhe të qëlloheshin me breshëri.

Një sjellje e tillë bie tërësisht ndesh me Konventën e Gjenevës për robërit e luftës dhe kartën e OKB-së për të drejtat e njeriut.

”Duket se jemi përpara një tjetër krimi lufte”, deklaroi zëdhënësi i OKB-së për të drejtat e njeriut, ndërsa shtoi se nëse vërtetësia e videos do të provohet, atëherë ajo do të vendoset midis krimeve që Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës do të marrë në shqyrtim.

Ndërkohë, Amnesty deklaroi në një komunikatë: “Këto imazhe të tmerrshme tregojnë një mungesë totale respekti nga palët ndërluftuese për ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat themelore të njeriut”.

Video e ekzekutimeve vjen në javën kur Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hillary Clinton, foli me shqetësim për rritjen e ekstremizmit fetar në Siri, duke paralajmëruar se “militantët janë duke u përpjekur që të rrëmbejnë revolucionin sirian”.

Ndërkohë, luftimet e ashpra vazhdojnë në të gjithë Sirinë, me të paktën 150 persona që humbën jetën gjatë se enjtes dhe të paktën 36 mijë sirianë të vrarë që prej fillimit të luftës civile në mars 2011.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA