SHBA; sondazhet e pjesshme, Obama në avantazh

02/11/2012 01:12

Barak Obama dhe Mitt Romney i janë rikthyer fushatave elektorale për zgjedhjet presidenciale, pas disa ditëve ndërprerje nga situata e krijuar prej uraganit Sandy.

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga data 6 nëntor, fokusi i fushatës elektorale për dy kandidatët është përqendruar në ato shtete, vota e të cilëve mund të shkojë nga Demokratët te Republikanët apo anasjelltas.

Sondazhet e përditëshme vijojnë të jenë të pranishme në çdo media amerikane, sikurse reklamat elektorale me argumenta dhe kundër-argumenta nga të dy kandidatët.

Një sondazh, nëpërmjet telefonatave nga Universiteti Cincinnati në Ohio, ka prodhuar rezultatin 48% për presidentin në detyrë, Barak Obama, dhe 46% për rivalin e tij, Mitt Romney. Ky rezultat i përket vetëm shtetit të Ohios, i cili është cilësuar si shteti, që do të vendosë se cili do të jetë fituesi i këtyre zgjedhjeve.

Në shtetin e New Hampshire, me popullsi mbi 1,3 milionë banorë, të nisësh bisedën për zgjedhjet është një temë jo fort e pëlqyer. Arsyen e mësojmë gjatë një bisede me David Scanlan, zëvendës Sekretar i Shtetit të New Hampshire.

Votuesit, thotë ai, ndodhen në një pikë ku ndihen të lodhur me reklama elektorale pafund dhe telefonata sondazhesh të kthyera në bezdisje, duke pritur me padurim datën 7 nëntor.

Kampet elektorale të Obamës dhe Romney-t kanë shpenzuar nga 20 milionë dollarë secili në shtetin e New Hampshire, nga ku në zgjedhjet e shkuara Barak Obama mori 54.4% të votave.

Top Channel