Ekonomia më e madhe në botë, ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, krijoi 171 mijë vende të reja pune gjatë muajit tetor, disa dhjetëra mijëra më shumë se parashikimet optimiste të Departamentit të Punës.
Megjithatë, pavarësisht aftësisë së ekonomisë për t’u zgjeruar, papunësia u rrit me 0,1% në 7,9% të krahut aktiv gjatë tetorit, si rrjedhojë e faktit që më shumë persona rritën kërkesën e tyre për punë, duke u klasifikuar zyrtarisht si i papunë.
Një person duhet të jetë në moshë aktive dhe të kërkojë aktivisht për punësimin, në mënyrë që të klasifikohet si i papunë.
Sipas ekspertëve, shifrat e reja të publikuara nga Departamenti i Punës i vijnë në ndihmë Presidentit Obama, i cili përballet në një garë shumë të ngushtë me rivalin Mitt Romney, përpara zgjedhjeve të datës 6 nëntor.
Megjithatë, të dy kampet interpretuan ndryshe këto të shifra, me demokratët që kujtuan se punësimi është rritur dhe republikanët që u përqendruan në faktin se gjithashtu papunësia është rritur.
”Shifrat e sotme na kujtojnë se fatkeqësisht, ekonomia ke mbetur prej kohësh në stanjacion. Përqindja e papunësisë është më e lartë nga ajo që gjeti Presidenti Obama kur mori detyrën. Sot, 23 milionë amerikanë janë të paaftë të sigurojnë një punë”, deklaroi kandidati republikan, Mitt Romney.
Top Channel