Irlanda, kredi nga investitorët privatë

02/11/2012 00:00

Irlanda do të jetë shteti i parë i Eurozonës që do të ketë të drejtë të marrë sërish kredi nga investorët privatë.

Kjo është dëshira e qeverive në Berlin dhe në Dublin. Por në vizitën e kryeministrit irlandez Enda Kenny të enjten në Berlin, kancelarja Angela Merkel refuzoi të bëjë një deklaratë, nëse bankat irlandeze do të kenë qasje, siç shpresojnë, edhe tek ombrella ESM e euros.

Kenny i kishte shuar shpresat në vendin e tij, se për këtë çështje do të vendoset para vitit 2013. Irlanda është e shkëputur aktualisht nga tregjet e kapitalit dhe e varur nga kredi të financuesve ndërkombëtarë. Kancelarja Merkel tha pas takimit në Berlin se ky vend i eurozonës në borxhe është në një “situatë specifike”, por nuk bëri lëshime konkrete. “Ministrat e Financave punojnë për një problem specifik irlandez”, tha Merkeli.

Borxhi irlandez i thelluar prej bankave

Në dallim nga Spanja, Irlanda i ka mbështetur bankat e saj me para të konsiderueshme nga taksat e vendit. Kjo bëri që gjendja e borxheve të vendit të rritet në mënyrë drastike. Dublini shpreson tani një lehtësim nga barra e borxheve përmes ndihmave direkte për bankat nga Fondit i Shpëtimit të Euros ESM, edhe në mënyrë prapavajtëse, për borxhe të vjetra të bankave.

Në fund të qershorit Eurogrupi premtoi që t’i vërë nën lupë rrethanat specifike dhe situatën e sektorit financiar irlandez. Merkeli dha siguri: “Ne jemi të interesuar të ndërmarrim një ndryshim të qendrueshëm të programit të përshtatjes.” Por më parë duhet pritur puna e ministrave të Financave.

Kenny theksoi se Irlanda dëshiron ta vërë në jetë sa më shpejt që të jetë e mundur programin e saj të reformave. Ai tha se kancelarja pati theksuar që “Irlanda është një rast i veçantë dhe prandaj Irlanda duhet të trajtohet edhe në mënyrë të veçantë.” Irlandës i duhet të përballojë një “krizë bankare krejt specifike dhe një krizë të veçantë të borxheve të shtetit.”

Top Channel