Një gjykatë amerikane ka dënuar një person me 17 vite burgim, për planifikimin e sulmeve ndaj Pentagonit dhe Shtëpisë së Bardhë, me avionë të ngarkuar me eksploziv.
Shtetasi amerikan, Rezëan Ferdaus, 27 vjeç, u arrestua pas një operacioni policor, në të cilin agjentët u maskuan si anëtarë të Al-Qaedas.
Ai u deklarua fajtor në korrik, pasi u përpoq të furnizonte me materiale Al-Qaedan, me synimin për të shkatërruar ndërtesat e qeverisë së SHBA-ve me ekspoziv.
Bazuar mbi marrëveshjen për fajësinë, prokurorët pranuan të tërhiqnin 4 akuzat e tjera. Ata thanë se Ferdaus po planifikonte sulme xhihadiste, apo “luftë të shenjtë”, që prej vitit 2010. Ata zbuluan se ai kishte ndërmend të përdorte pajisje shpërthimi me anë të celularëve, duke vënë në shënjestër ushtarët amerikanë në Irak dhe Afganistan.
Në një njoftim të FBI-së, pas dhënies së këtij vendimi, ndihmësi i parë i Prokurorit të SHBA-ve, Jack Pirozzolo, i përshkroi veprimet e Ferdaus si “të vetë-iniciuara, të qëllimshme dhe të rrezikshme”. “Ai kishte për qëllim të kryente akte të tmerrshme dhune ndaj amerikanëve, këtu në SHBA dhe jashtë kufijve”, tha ai.
Ferdaus, i lindur në Massachusetts nga prindër nga Bangladeshi, është diplomuar për fizikë në Universitetin Verilindor të Bostonit.
Top Channel