“Nëse ndërroj shpesh modul loje ndodh për shkak të lojtarëve që kam në dispozicion dhe mungesave të shumta. Nuk e bëj se më pëlqen.”
Massimiliano Allegri, trajneri i Milanit, shpjegoi kështu ndryshimet e shpeshta të formacionit që nga nisja e këtij sezoni dhe theksoi se ndeshja e së shtunës ndaj Chievo është shumë e rëndësishme për kuqezinjtë.
“Nëse fitojmë do të qëndrojmë të kapur me pjesën e lartë të renditjes. Skemën 3-5-2 ndaj Palermos do e përsërisja sërish po të kthehesha pas. Ne ia bëmë vetes me gabimet tona, por u panë edhe gjëra të mira”, deklaroi Allegri, të cilit do i rikthehet në dispozicion Kevin Prince Boateng.
“Do të jetë me siguri gati për këtë ndeshje, ndërsa Robinho besoj se do të kthehet të martën ndaj Malaga”, sqaroi trajneri i kuqezinjve.
Në lidhje me vendin e tij të punës, Allegri u shpreh i bindur: “Jam në sintoni të plotë me klubin dhe besoj se së bashku do e kapërcejmë këtë moment të vështirë.”
Milan-Chievo do të luhet ditën e shtunë, në orën 18:00.
Top Channel