Prokuroria Publike në Shkup, në aktakuzën e ngritur kundër 6 shqiptarëve për vrasjen e pesë peshkaktarëve maqedonas, thekson mes të tjerash se akti makabër është kryer me qëllim të destabilizimit të Maqedonisë.

Përmbatja e aktakuzës u cilësua si skandaloze nga avokati mbrotjës Naser Raufi, për shkak se për akuzat e ngritura nuk ka asnjë dëshmi. Duke komentuar deklarimet e avokatit të të akuzuarve, i cili këmbëngul se ky proçes po montohet nga politika, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, ka thënë se nuk duhet prejidikuar për vendimin e gjykatës. Ai u zotua se BDI nuk do të lejojë asnjë shqiptar të qëndrojë në burg pa patur faj.

“Për shkak se ky rast është sensitiv, përveç institucioneve me të cilët udhëheqim, kemi kërkuar ndihmën edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE. Ata na kanë rekomanduar OSBE-në si organ që i besojnë. Besoj se është organi më i përshtatshëm, që mbikqyr dhe garanton transparencën e proçesit duke qenë se OSBE është përfshirë në të gjitha fazat e proçesit”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Por, zotimet e zëdhënësit Bujar Osmani, sipas PDSH-së opozitare nuk janë serioze, pasi BDI edhe pse është në pushtet, nuk ka forcë të mbrojë shqiptarët.

“BDI nuk ka kapacitete që t’i mbrojë shqiptarët. Do të ishte shumë më korrekte, që ato të dalin dhe t’u tregojnë të vërtetën shqiptarëve, se MO nuk po implementohet, se shqiptarët janë më të pasigurtë se kurrë dhe t’iu thonë një të vërtetë shumë më të madhe, se kjo është si pasojë e politikave nënshtruese e servile të funksionarëve”, tha Ziadin Sela, deputet i PDSH-së.

Deputet i PDSH-së, Ziadin Sela, tha se edhe në të kaluarën, kur BDI ka qenë në pushtet shqiptarëve u janë montuar proçese gjyqësore, ku janë dënuar me dhjetra vite burg.

Top Channel