Sandy nuk “zhvendos” Maratonën e Nju Jorkut

01/11/2012 00:00

Maratona e Nju Jorkut do të zhvillohet në datën e përcaktuar pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga uragani ‘Sandy’ që pushtoi qytetin. Ky është lajmi që u bë publik nga vetë kryebashkiaku Majkëll Blumberg.

‘Njerëzit kanë pyetur shpesh për maratonën, tha Blumberg në një konferencë për shtyp. Dhjetëra-mijëra persona kanë ardhur nga shumë vende të botës për të marrë pjesë në këtë aktivitet  dhe ne vendosëm që maratona e Nju Jorkut të mbahet ditën e diel. Kjo është një ngjarje e madhe për Nju Jorkun dhe ekonominë e qytetit”.

Maratona e Nju Jorkut parashikon garimin e pjesëmarrësve në disa zona të qytetit të cilat nuk janë prekur nga uragani ‘Sandy’. Mësohet se numri i saktë i pjesëmarrësve do të jetë rreth 50.000 veta dhe mes tyre pritet të jenë edhe atletët më të njohur, specialistë të distancave të gjata.

Ndërkaq, Liga amerikane e Basketbollit, NBA, duke marrë parasysh edhe sugjerimin e Blumberg, vendosi që të anulojë ndeshjen mes New York Knicks dhe Brooklin Nets, e parashikuar të zhvillohej këtë të enjte në Barclays Center.

Top Channel