Rusi, hyn në fuqi ligji “i censurës”

01/11/2012 15:50

Një ligj i shumëdebatuar, i cili i jep të drejtë qeverisë që të nxjerrë offline faqet e internetit hyri në fuqi në Rusi gjatë së enjtes.

Zyrtarisht, ligji do të përdoret për të mbrojtur fëmijët nga materialet e dëmshme në internet, si pornografia, të dhëna mbi mënyrën se si mund të bëhet një vetvrasje dhe faqe që inkurajojnë përdorimin e drogës.

Megjithatë, ligji i jep të drejtë autoriteteve që të nxjerrin jashtë shërbimi një faqe në Rusi pa vendim gjykate apo lajmërim të mëparshëm, duke shtuar frikën se ai mund të përdoret për të censuruar dhe heshtur rivalët politikë.

”Pa dyshim që ka faqe interneti të cilat nuk duhet të jenë të aksesueshme për fëmijët, por nuk besoj se autoritetet do të kufizohen vetëm me kaq”, deklaroi për “BBC” Yuri Vdovin, zëvendëspresident i “Citizens Watch”, një organizatë e të drejtave të njeriut me qendër në Shën Pjetërburg.

Përveç organizatave të ndryshme jo qeveritare dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut, ndaj ligjit të hyrë në fuqi protestuan edhe disa prej faqeve më të rëndësishme ruse, si motori i kërkimit në gjuhën ruse “Yandex”, portali “mail.ru” dhe versioni rusisht i “Wikipedia”-s.

Top Channel