Rifillon fushata, Romney akuza Obamas

01/11/2012 23:45

“Politikat e presidentit Barak Obama do ta shndërrojnë vendin njësoj si Italia apo Spanja”.

Duke iu drejtuar përkrahësve, gjatë një fjalimi në Kontenë Roanoke në Virxhinia, republikani Mitt Romney paralajmëroi: “Nëse je një sipërmarrës dhe mendon të nisësh një aktivitetet, atëherë duhet të bësh një pyetje: Amerika është në të njëjtën rrugë si Greqia, apo në rrugën e një krize ekonomike, e njëjtë me atë që po shohim në Itali dhe Spanjë? Nëse vazhdojmë të shpenzojme 1 miliardë dollarë më shumë nga sa hyn në vend, atëherë Amerika është në këtë rrugë”.

Nuk është hera e parë, që kandidati republikan në garën presidenciale të Shteteve të Bashkuara flet kundër vendeve europiane.

Të enjten, në mitingun e parë elektoral, pas situates emergjente që kaloi vendi nga uragani Sandy, ish-guvernatori i Massacusets ka hedhur sytë nga Europa, për të krahasuar mungesën e aftësive të Obamës. Madje edhe qëllimin e presidentit për të emëruar një Sekretar të Tregëtisë dhe Aktivitetit Ekonomik.

“Nuk na duhet një i tillë për të kuptuar biznesin – tha Romney. – Na duhet një president, që i kupton çështjet si unë. Unë do ta bëj ekonominë të funksionojë sërish. Obama ka një zgjidhje për gjithçka – nënvizoi ai, – të na shtojë burokratët”.

Gjatë fjalimit, që zgjati më pak se gjysmë ore, Romney ripërsëriti objektivin e tij për të krijuar 12 milionë vende pune, nëpërmjet uljes së taksave. Ai ndryshoi slloganin e përkrahësve të presidentit Obama nga “edhe katër vite më shumë” në “edhe pesë ditë kanë mbetur”.

Top Channel