“Duhet një marrëveshje mes Greqisë dhe kreditorëve të saj mbi kushtet e financimit të vendit, që të jenë në përputhje me përballjen me borxhin e vendit”.

Kështu ka deklaruar Gerry Rice, zëdhënës i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka nënvizuar se thelbi i bisedimeve mes Greqisë dhe Trojkës janë pikërisht financimet dhe kapacitetet për shlyerjen e tyre.

Ndërkohë, një gjykatë në Greqi e ka vlerësuar si “jokushtetues” pjesën më të madhe të reformave të pensioneve të parashikuara në memorandumin e tretë. Lajmin e bën të ditur agjencia helene e lajmeve “ANA”.

Memorandumi në fjalë duhet të miratohet nga Parlamenti grek dhe përbën kushtin për marrëveshjen eventuale mes Athinës dhe BQE-së, FMN-së dhe BE-së.

Projektbuxheti i Greqisë për vitin 2013 parashikon një recesion edhe më të thellë nga sa ishte paralajmëruar, me krizën e borxheve që pritet të vazhdojë të përkeqësohet.

Në parashikimet e reja zyrtare të publikuara të mërkurën, ekonomia pritet që të tkurret me 4,5% gjatë vitit të ardhshëm, nga 3,8% që ishte paralajmëruar më parë.

Në thellimin e krizës greke pritet që të ndikojnë edhe masat e ashpra shtërnguese që i janë imponuar qeverisë helene si kusht për vazhdimin e marrjes së kësteve të huasë prej 130 miliardë eurosh, të akorduar nga BE, FMN dhe BQE.

Aktualisht, borxhi publik i fqinjëve tanë jugorë kap vlerën e 189% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa reformat e ashpra pritet ta reduktojnë atë deri me 10% gjatë 2013-s.

Top Channel