Kryeministri serb, Ivica Daçiç, duke folur pas takimeve me zyrtarët ndërkombëtarë, ka deklaruar se ky faktor e di mirë se çfarë lëshimesh mund të bëjë Serbia në lidhje me Kosovën.

Në një konferencë për shtyp, Daçiç ka nënvizuar se Beogradi është i gatshëm që çështjen e Kosovës ta mbyllë brenda mandatit të parë qeveritar dhe presidencial.

“Ne vërtetë konsiderojmë se të gjitha çështjet e hapura duhet t’i zgjidhë gjenerata jonë, që nënkupton se në këtë mandat të qeverisë dhe presidentit t’i zgjidhim të gjitha çështjet kyçe si negociatat për anëtarësim në BE dhe çdo gjë të ndërlidhur për Kosovën”, ka theksuar Daçiç.

Ai ka thënë Serbia është e gatshme për zgjidhje finale dhe ka theksuar se ai personalisht është i gatshëm që në Bruksel me Thaçin të bisedojë për tema të vështira.

Kryeministri ka saktësuar se ndërmjetësja e dialogut, baronesha Catherine Ashton, ka deklaruar se nuk do t’i imponojë temat, por do të mirëpresë çdo gjë mbi të cilën bien dakord të dyja palët.

“Besoj se do të bisedohet mbi tema të ndryshme. Me siguri është zakon që të nisemi nga temat më të lehta, por nuk ikim nga bisedimet mbi temat më të vështira. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë jo vetëm mbi energjinë elektrike dhe telefoninë, por edhe për zgjidhjen përfundimtare”, ka përsëritur Daçiç.

Ish-zëdhënësi i Sllobodan Millosheviç ka shtuar nga ana tjetër se, Serbia do t’i zbatojë të gjitha reformat dhe kriteret që i ka paraqitur KE-ja në raport dhe se po punohet për eliminimin e të metave.

”Nuk do të lejojmë që të shkoj të takohem me Thaçin dhe që raporti i KE të jetë negativ, për shkak se dikush në ministrinë e vet nuk ka bërë detyrën”, ka deklaruar Daçiç.

Top Channel