Drejtori i përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino u ka thënë autoriteteve serbe se dialogu me Kosovën duhet të jetë fleksibël, pa trysni dhe pa përfshirjen e idesë së ndarjes së Kosovës, e cila sipas tij nuk do të ishte një zgjidhje pozitive.

Sanino, i cili po kryeson një delegacion të BE-së që po viziton Beogradin, është takuar me këshilltarin e presidentit Nikoliç, Marko Gjuriç, të cilit i ka bërë të qartë se Brukseli pret nga zyrtarët serbë që të dalin me ide konkrete për zgjidhjen e çështjes së Kosovës para strukturave të larta të BE.

Ndër të tjera, zoti Sanino ka vlerësuar synimin e Serbisë për të qenë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, proçes për të cilin Brukseli ka vendosur si kusht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Sipas mediave serbe, Sanino ka nënvizuar se afatet kohore të dialogut do të jenë fleksibël, në mënyrë që të mos ketë trysni dhe ka shtuar se Perëndimi është optimist se proçesi mund të zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Nga ana e tij, Gjuriç ka garantuar vazhdimin e shpejtë të negociatave në nivele politike me Kosovën dhe ka shprehur bindjen se në ditët e ardhshme shteti serb do të ketë gati platformën e tij për bisedimet.

Ndërkohë, përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka deklaruar se problemi më i madh i Beogradit dhe Prishtinës është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zhbogar ka thënë për mediat serbe se vizita e sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton dhe e kryediplomates evropiane, Catherine Ashton në Beograd e Prishtinë, tregoi se ky problem nuk duhet të vështrohet nga larg, por duhet të ndihmohet për zgjidhjen e tij.

Sipas Zhbogar, vizita e dy zyrtareve ndërkombëtare ka pasur disa qëllime: të tregojë se SHBA dhe BE po punojnë së bashku për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, se Clinton dhe Ashton janë të angazhuara personalisht në këtë proçes dhe se duhet të krijohet një mbështetje e gjerë për këtë dialog, si në aspektin publik, ashtu edhe në atë politik.

Top Channel