SHBA, rinis fushata elektorale

31/10/2012 15:40

Presidenti Barack Obama rinis ditën e enjte fushatën e tij zgjedhore të pezulluar për shkak të uraganit “Sandy”, i cili solli shkatërrime masive në disa shtete lindore amerikane.

Gjatë së enjtes, Presidenti do të ndalojë në Nevada, Kolorado dhe Uiskonsin, shtete që sipas sondazheve paraqiten të lëkundura mes tij dhe republikanit Romney.

Ndalesa në tre shtete vjen pasi Obama vizitoi Nju Xhersin ditën e mërkurë, ku u takua personalisht me prekurit nga katastrofa natyrore dhe udhëhoqi planet për rimëkëmbje.

Në këtë vizitë, ai mori lavdërimet e sinqerta për mënyrën e përballimit të krizës nga guvernatori republikan Chris Christie, një prej kundërshtarëve të tij më të ashpër politikë.

”Nuk mund ta falenderoj Presidentin mjaftueshëm për shqetësimin dhe angazhimin personal që ka marrë ndaj të gjithë të dëmtuarve nga kjo fatkeqësi”, deklaroi Christie, në një shprehje të papritur sinqeriteti.

Kundërshtari republikan, Mitt Romney, gjithashtu rinis fushatën e tij, duke u përqendruar në këto ditë të mbetura përpara zgjedhjeve të 6 nëntorit gjithashtu në shtetet e pavendosura.

Top Channel